Një rast i vetëplagosjes me armë zjarri është raportuar pasditen e së martës në Rahovec, ku një i ri ka përfunduar në trajtim mjekësor, ndërsa policia ka sekuestruar një arsenal armësh dhe mjetesh të rrezikshme.
Siç mëson ekskluzivisht Sinjali, ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 15:30, në rrugën “Sadedin Hajda” në Rahovec. Sipas burimeve nga terreni, QKMF Rahovec ka njoftuar Policinë se në qendrën mjekësore ishte paraqitur një person i plagosur në këmbën e majtë, si pasojë e vetëplagosjes me armë zjarri.
I dyshuari është identifikuar si Bardhi Bajraj, rreth 19-vjeçar. Pas dhënies së ndihmës së parë, ai është dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ku po vazhdon trajtimin mjekësor.
Sipas mjekëve, gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa në këmbën e plagosur nuk është gjetur trup i huaj (predhë).
Në koordinim me Sektorin e Hetimeve të SP Rahovec, me asistencë të SHR DRP Gjakovë dhe në konsultim me Prokurorin e Shtetit, policia ka ekzaminuar vendin e ngjarjes dhe më pas ka kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, në prani të një familjari.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar: një armë zjarri, një armë me gaz, karikatorë përkatës, një predhë dhe një gëzhojë, nëntë fishekë të armës së zjarrit, dy fishekë me gaz, katër thika dhe një shufër metalike.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit nga PTHGJ, i cili ka udhëzuar që të iniciohet procedurë penale ndaj të dyshuarit për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas nenit 366 të KPRK-së dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari nuk është ndaluar, ndërsa rasti po trajtohet në procedurë të rregullt. Hetimet janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.