27-vjetori i masakrës më me jehonë u shënua të enjten.
15 janarin e 1999-ës në Reçak u vranë dhe masakruan 45 civilë shqiptarë.
Për këtë tashmë ka aktakuzë nga Prokuroria Speciale, por që shumë krime tjera ende mbeten pa u gjykuar.
Kësisoj edhe shumë dëshmitarë po vdesin ende pa nisur gjykimi për kryerësit e veprave.
Andaj, po kërkohet një punë më e madhe e organit ndjekës.
“Prokuroria duhet ta praktikon mundësinë e hetuesisë së veçantë, pra është një lloj marrje në pyetje para Gjykatës ku sigurohet dëshmia e dëshmitarit e cila mund të përdoret në faza të mëvonshme ngase i njëjti nuk është i qasshëm për arsye të ndryshme për Gjykatën. Pra në këtë drejtim dhe këtë praktikë duhet ta aplikojnë më shpesh Prokuroria”, thotë Amer Alija – Fondi i Drejtës Humanitare.
Alija vlerëson se dëshmia e tyre, përkundër fakteve ka peshë më të madhe juridike.
“Sigurisht që edhe provat tjera materiale siç janë fotodokumentacioni, dokumentet e ndryshme, incizimet kanë rëndësi në këto procese por nga praktika kemi mësuar se në luftërat e ish-Jugosllavisë dhe të Kosovës prova kryesore është kujtesa e dëshmitarit, pra dëshmia e dëshmitarit okular në të cilin kryesisht mbështeten vendimet dënuese”, shprehet ai.
Kurse avokati Florim Shefqeti thotë se kjo do të jetë pengesë në vërtetimin e gjendjes faktike.
“Duke pasë parasysh që ka një vonesë në kaq vite që nuk janë proceduar tutje edhe në aspektin penal të sigurimit të deklaratave dhe provave, por edhe në aspektin civil të krijimit apo ndjekjes së procedurave gjyqësore për me siguri aktgjykime që konstatojnë lartësinë e dëmeve të shkaktuara të cilat janë jashtëzakonisht të mëdha. Prandaj në këtë situatë varet se sa do të ketë edhe prova tjera pas të cilave shpresojmë që ka siguruar Prokuroria prova”, thotë avokati Shefqeti.
Gjykimi në mungesë tashmë ka nisur në disa raste të ndryshme për krime lufte.