Përfundon rinumërimi i vendvotimeve në Prizren, prin Fetah ‘Rekordmeni’ me 6 mijë e 22 vota më pak

Përfundon rinumërimi i vendvotimeve në Prizren, prin Fetah ‘Rekordmeni’ me 6 mijë e 22 vota më pak
👉 Shiko më shumë 👈

Në pothuajse gjysmën e vendvotimeve që supozohet t’i nënshtrohen procesit të rinumërimit të votave për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ky proces tashmë ka përfunduar.

Rinumërimi i i një të tretës së vendvotimeve nisi më 13 janar, pasi u vërejten dallime në fletëvotimet me votat për kandidatët brenda subjekteve politike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi ka përfunduar në 19 komuna dhe se tani fillimisht do të vazhdojë me rinumërimin në Prizren dhe pastaj me komunat e tjera.

Në Prizren deri tash janë numëruar 235 vendvotime sa ishin gjithsej dhe kjo komunë prin dukshëm me numrin e fletëvotimeve me gabime.

Kush po humb më së shumti vota nga rinumërimi?

Rinumërimi i pjesshëm votave për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit tashmë ka shpërfaqur mospërputhje të shumta, me disa kandidatë.

Pas rinumërimit, sipas të dhënave aktuale të KQZ-së, kësaj liste i prin kandidati për deputet nga PDK, Fetah Paçarizi rezulton me 6 mijë vota më pak pas rinumërimit, ose saktësisht minus 6 mijë e 22 vota.
Ku i fundit ka reaguar për gjithë procesin.

Në një deklaratë për media, Paçarizi tha se ajo që po ndodh gjatë rinumërimit ngre dyshime të arsyeshme mbi integritetin e procesit zgjedhor dhe cenon besimin e qytetarëve në numërimin dhe rinumërimin e votave.

Sipas tij, për të garantuar transparencë, barazi dhe respektim të vullnetit real të qytetarëve, është i domosdoshëm rinumërimi i plotë i votave në të gjithë vendin, përfshirë edhe votat e diasporës.
Paçarizi theksoi se është i përfshirë rishtas në politikë dhe se nuk ka mbajtur asnjëherë poste apo përgjegjësi politike, duke sqaruar se nuk ka pasur asnjë ndikim në procesin zgjedhor. Ai u distancua nga çdo keqpërdorim apo manipulim që mund të jetë bërë në emrin e tij ose në dëm të votës së lirë.

“Kërkoj që Prokuroria e Shtetit të nisë hetime të plota, të pavarura dhe profesionale”, tha Paçarizi, duke shtuar se edhe KQZ-ja, si organ i pavarur kushtetues, duhet të japë llogari publike dhe të ofrojë prova të qarta për ligjshmërinë dhe korrektësinë e veprimeve të saj.

Ai theksoi se pavarësia institucionale nuk nënkupton mungesë përgjegjësie, ndërsa kërkoi transparencë, hetim dhe përgjegjësi institucionale, duke vlerësuar se gabimet apo manipulimet e këtij niveli përbëjnë përgjegjësi shtetërore.
Ndërsa, për gjithë situatën ka reaguar edhe Petrit Kryeziu, kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, i cili tha se sot ka lëshuar autorizim për Policinë për identifikimin e personave përgjegjës, sigurimin e provave, përfshirë këtu procesverbalet dhe nënshkrimet, krejt kjo pasi siç tha ai janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave.

“Si institucion i Prokurorit të Shtetit, kemi monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore. Tani që rinumërimi po i afrohet fundit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit. Në këtë drejtim, sot, në cilësinë e kryeprokurorit me vetiniciative kam lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet”, tha Kryeziu.

Kryeprokurori theksoi se çdo person që ka falsifikuar rezultatet përmes vendosjes së nënshkrimit të tij do të mbajë përgjegjësi, pasi manipulimi i votës është krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis.

“Çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndroj i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale. Manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis”.

Shperndaje:
👉 Shiko më shumë 👈