Pasi që Këshilli Prokurorial i Kosovës ka anuluar në mënyrë të dyshimtë konkursin për prokuror, Avokati i Popullit ka ndërhyrë. Në një rast të kandidati, ky institucion i ka dhënë të drejtë ankesës së tij.
Vendimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të anuluar konkursin për prokurorë në fund të vitit 2025, i cili u përcoll me dyshime të forta për manipulime dhe mungesë meritokracie, tashmë është vënë nën thjerrëzën e Institucionit të Avokatit të Popullit.
Insajderi ka siguruar dokumentin zyrtar që vërteton se ky institucion ka gjetur baza të mjaftueshme ligjore për të nisur hetimin mbi ligjshmërinë e këtij anulimi. Në njoftimin për pranueshmëri, të lëshuar sot më 12 janar 2026, Avokati i Popullit konfirmon se pretendimet e njërës prej kandidateve për shkelje të të drejtave themelore janë legjitime për trajtim të mëtejmë.
Në dokumentin që mban numrin e protokollit KPD….2026, të cilin e posedon redaksia, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, njofton kandidatin se procesi i hetimit ndaj KPK-së ka nisur zyrtarisht:
“Institucioni i Avokatit të Popullit… ka shqyrtuar ankesën tuaj, të paraqitur më …/12/2025, lidhur me pohimet për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut apo keqpërdorim nga autoritetet publike dhe… ka vendosur si të pranueshme ankesën, për hetimin e shkeljeve eventuale të pohuara.”
Më tej, në dokumentin e siguruar nga Insajderi, bëhet e ditur se rasti është regjistruar me numrin R/…./2025 dhe se institucioni ka kërkuar bashkëpunim të plotë për të zbardhur nëse KPK-ja ka abuzuar me autoritetin publik kur vendosi të “fshijë” procesin e rekrutimit.
Anulimi i konkursit në dhjetor të vitit 2025 kishte nxitur reagime të ashpra, jo vetëm nga kandidatët e dëmtuar, por edhe nga organizatat ndërkombëtare që monitorojnë drejtësinë në Kosovë. Ky vendim i Avokatit të Popullit vjen si një goditje e drejtpërdrejtë mbi vendimmarrjen e KPK-së, duke lënë të kuptohet se argumentet e përdorura nga Këshilli për anulimin e konkursit mund të jenë të pabazuara në ligj.
Sipas burimeve të Insajderit, ky është vetëm një nga rastet e shumta që pritet të kontestohen, pasi dhjetëra kandidatë pretendojnë se procesi u anulua vetëm pasi “favoritët e caktuar” nuk arritën të renditeshin lart në listat e vlerësimit.
Mbetet të shihet nëse ky hetim do të detyrojë Këshillin Prokurorial të kthejë procesin në pikën zero apo të përballet me pasoja juridike për shkak të shkeljeve të konstatuara nga Avokati i Popullit.