Avokati Besnik Berisha ka reaguar publikisht ndaj zhvillimeve të fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke kritikuar ashpër qasjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha thekson se ndarja e LDK-së në “të vjetër” dhe “të rinj” po dëmton partinë, duke vlerësuar se reformat nuk mund të ndërtohen përmes përçarjes dhe luftës së brendshme. Ai përmend deklaratat e fundit të Abdixhikut lidhur me dorëheqjen dhe paralajmërimet për “fshesë” ndaj strukturave të vjetra të partisë.
Sipas Berishës, këto zhvillime ose tregojnë një ndryshim qëndrimi nga ana e kryetarit të LDK-së, ose një përpjekje për të konsoliduar mbështetje brenda Kuvendit të partisë. Megjithatë, ai thekson se LDK nuk mund të shërohet duke u përçarë dhe se udhëheqja me kërcënime, lista apo “spastrime” është e gabuar.
“LDK s’është pronë e askujt. As e të vjetërve. As e të rinjve. As e Lumirit”, shkruan Berisha, duke shtuar se partia është më e madhe se ambicia individuale e kujtdo.
Në fund, ai i bën thirrje Abdixhikut për vetëpërmbajtje në deklarata dhe veprime, duke paralajmëruar se trajtimi i anëtarëve si pengesë çon në humbje të përgjithshme për partinë.