Një kontroll rutinë i Policisë së Kosovës në kryeqytet ka përfunduar me arrestim, pasi një person dyshohet se është kapur me armë zjarri pa leje.
Sipas informatave që ka siguruar Gazeta Sinjali, rasti ka ndodhur më 17 janar 2026, rreth orës 16:00, në Bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë, ku njësia e reagimit të shpejtë, gjatë pikës së kontrollit të automjeteve, ka hasur në një armë zjarri tek një person.
Burimet bëjnë të ditur se i dyshuari është identifikuar si Arian Alija 39 vjeçar, të cilit gjatë kontrollit trupor i është gjetur një armë e tipit Glock 19, kalibri 9mm, me karikator dhe 15 fishekë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë e rendit nga Stacioni Policor Jugu, si dhe hetuesi kujdestar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar për procedura të mëtejme në stacion.
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës dhe në konsultim me prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar për veprën penale:
“Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.