Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar rinumërim të tërësishëm të votave të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, pasi rinumërimi i votave në afro 1000 vendvotime dëshmoi manipulimet.
Rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve po e nxjerr në shesh një skemë manipulimi të përmasave shqetësuese të votës së qytetarit”, shkroi ai në një postim në Facebook.
“Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pas këtyre gjetjeve, vota duhet të rinumërohet një për një. Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve”, shtoi Haradinaj.
Ai tha se ishte “e habitshme qysh Prokuroria nuk është vënë në lëvizje qysh sot”.
“Demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh”, shkroi ai.
“Apeloj tek të gjithë mekanizmat që me vendimet e veprimet e tyre ta mbrojnë votën e qytetarit dhe ta rikthejnë integritetin e zgjedhjeve të 28 Dhjetorit. Çdo drejtim tjetër do të kishte pasoja të pariparueshme!”, shtoi Haradinaj.