Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka deklaruar se është e gatshme të forcojë marrëdhëniet me Qeverinë e ardhshme të Kosovës, por ka theksuar se një bashkëpunim i tillë do të kërkojë edhe përmbushjen e disa kushteve.
Lidhur me mënyrën se si Shtetet e Bashkuara planifikojnë të bashkëpunojnë me Qeverinë e ardhshme, Ambasada amerikane ka nënvizuar gatishmërinë për forcimin e partneritetit dypalësh.
“Shpresojmë të forcojmë partneritetin tonë me Qeverinë e ardhshme të Kosovës, përfshirë edhe rifillimin e Dialogut Strategjik. Arritja e kësaj, megjithatë, do të kërkojë veprime nga Qeveria e Kosovës që çojnë përpara agjendën tonë të përbashkët për paqe rajonale, stabilitet dhe prosperitet të ndërsjellë ekonomik”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane për REL-in.