Protestat në Iran: Numri i viktimave arrin deri në 5 mijë

Protestat në Iran: Numri i viktimave arrin deri në 5 mijë
👉 Shiko më shumë 👈

Një zyrtar iranian në rajon ka deklaruar të dielën se autoritetet kanë verifikuar se të paktën 5,000 persona janë vrarë gjatë protestave në Iran, përfshirë rreth 500 pjesëtarë të personelit të sigurisë.

Zyrtari, i cili ka folur për Reuters në kushte anonimiteti, ka fajësuar “terroristët dhe protestuesit e armatosur” për vrasjen e “iranianëve të pafajshëm”.

Ai ka bërë të ditur se disa nga përleshjet më të rënda dhe numri më i madh i viktimave janë shënuar në zonat kurde në veriperëndim të Iranit, një rajon ku separatistët kurdë kanë qenë aktivë dhe ku shpërthimet e dhunës kanë qenë ndër më të ashpra edhe në periudhat e mëhershme të trazirave.

“Numri përfundimtar nuk pritet të rritet ndjeshëm”, ka thënë zyrtari, duke shtuar se “Izraeli dhe grupet e armatosura jashtë vendit” kishin mbështetur dhe pajisur personat që dolën në rrugë.

Autoritetet iraniane fajësojnë rregullisht armiqtë e huaj për trazirat, përfshirë Izraelin, armik i betuar i Republikës Islamike, e cila kishte nisur sulme ushtarake ndaj Iranit në qershor.

Ndërkohë, grupi i të drejtave të njeriut HRANA, me seli në SHBA, ka njoftuar të shtunën se numri i të vdekurve kishte arritur në 3,308, duke shtuar se janë konfirmuar më shumë se 24,000 arrestime.

Edhe grupi i të drejtave të kurdëve iranianë Hengaë, me seli në Norvegji, ka deklaruar se disa nga përleshjet më të rënda gjatë protestave që shpërthyen në fund të dhjetorit kanë ndodhur në zonat kurde në veriperëndim të Iranit.

Shperndaje:
👉 Shiko më shumë 👈