Goditja e Call Center-ave në Tiranë, Prokuroria njoftim zyrtar: U arrestuan 8 persona në flagrancë

Goditja e Call Center-ave në Tiranë, Prokuroria njoftim zyrtar: U arrestuan 8 persona në flagrancë
👉 Shiko më shumë 👈

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dalë me një deklaratë zyrtare mbi operacionin e fundjavës, ku u godit një grup kriminal në fushën e mashtrimit të qytetarëve italian dhe europian, përmes call center-ave, duke u paraqitur si kompani për investime në kriptomonedha të ndryshme.

Sipas SPAK, pasi u informuan për një ndërhyrje të mundshme të autoriteteve, organizatorët boshatisën ambientet e Call Center-it gjatë natës së 15-16 janarit. Pajisjet u transportuan drejt një ambienti tjetër në godinën “Downtown One”, në bulevardin “Bajram Curri”.

Në njoftim thuhet se gjatë operacionit, janë arrestuar në flagrancë 6 persona me inicialet R.Gj., D.Q., E.Gj., E.M., R.P. dhe O.K., ndërsa për K.K., H.XH. dhe tre shtetas të tjerë, janë lëshuar urdhra ndalimi, pasi dyshohen për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Në kuadër të veprimeve hetimore janë ushtruar kontrolle në 28 ambiente; banesa, automjete, zyra, garazhde, etj, ku janë sekuestruar qindra pajisje kompjuterike, dokumente, sisteme monitorimi të kamerave, sisteme të rrjetit kompjuterik, pajisje memorizuese, server, një automjet luksoz i markës Ferrari që dyshohet të përkiste organizatorëve të aktivitetit si edhe automjete dhe motomjete të përdorur nga autorët e dyshuar.
Njoftimi i plotë i SPAK
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rregjistroi procedimin penal nr.03/2026, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit Kompjuterik”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal,“Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Procedimi u regjistrua në datën 9.1.2026 në Byronë Kombëtare të Hetimit pas paraqitjes së gazetarëve italianë të emisionit investigativ “Le Iene”, që trasnmetohet në Mediaset. Ata kanë dorëzuar materiale të punës së tyre.

Gjatë këtij hulumtumi është identifikuar një Qendër Thirrjesh (Call Center) që ndodhet në Tiranë, në ndërtesën “Atti Tower”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, përballë Katedrales Ortodokse, nga ku, autorët e mirëorganizuar dyshohet se kanë mashtruar shtetas italianë dhe europianë për investime në kriptomonedhave të ndryshme.

Investigimi mori shkas nga ankesat e disa shtetasve italianë të mashtruar nga Qendra e Thirrjeve. Gazetarët italianë mundën të infiltrojnë një shtetas italianë, i cili nisi të punojë aty dhe realizoi regjistrimin e të dhënave në ambientet e Qendrës së Thirrjeve. Nga të dhënat rezulton se në këtë veprimtari dyshohet të jenë përfshirë shtetas italianë, rezidentë në Itali dhe të tjerë që jetojnë në Shqipëri, ndërsa transaksionet kryheshin në kriptovaluta, në portofolet e monedhave virtuale tw menaxhuara nga drejtuesit e këtij aktiviteti të kundraligjshëm, duke përdorur platforma mashtruese.

Duke iu referuar materialeve video bëhet fjalë për një Qendër Thirrjesh, që ndodhej në katin e 9-të dhe të 13-të të “Atti Tower”. Nga pamja e përgjithshme, dinamika e komunikimit dhe veprimet e personit që kryen regjistrimin apo edhe personave të tjerë, shihet se është një qendër e mirëorganizuar e thirrjeve telefonike, me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane.

Pas regjistrimit të këtij procedimi penal, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë nisur menjëherë puna për identifikimin e organizatorëve dhe dokumentimin e aktiviteti kriminal të mashtrimit.

Nga veprimet e para hetimore të BKH-së, rezultoi se organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamerat filmike statike, por edhe personel civil vëzhgimi, jashtë kësaj Qendre.

Ekzistojnë indicie të qarta se mbrëmjen e datës 15 Janar 2026, pas përfundimit të punës, pjesëtarë të këtij personeli vëzhgues, kanë njoftuar pronarët e Qendrës për një ndërhyrje të mundshme. Pas kësaj, në orët e para të mëngjesit të datës 16 Janar 2026, janë larguar pajisjet dhe është boshatisur edhe ambienti i Qendrës së Thirrjeve.

Pas ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme, nr.85, datë 15.1.2026, hetuesit e BKH-së konstatuan në datën 16 Janar 2026, boshatisjen e ambientit dhe largimin e pajisjeve dhe personelit. Falë veprimeve të shpejta dhe të pandërprera hetimore u bë i mundur identifikimi i personave dhe automjeteve të përdorura për largimin e pajisjeve kompjuterike dhe sistemeve nga Call Center-i. Pas gjurmimit të tyre, në një kohë të shkurtër, u realizua kapja në flagrancë e disa shtetasve, të cilët kishin transportuar gjatë natës materiale drejt një ambient tjetër të marrë me qira në “Downtown One”, në Bulevardin Bajram Curri.

Pas kapjes në flagrancë të këtyre shtetasve, hetuesit kanë bërë kontrollin me iniciativë të ambientit në katin e 5-të të godinës, ku është konstatuar një Qendër tjetër Thirrjesh, në ndërtim e sipër. Aty u gjetën pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta të ndryshme SIM, dokumente, blloqe me shënime. Personat e kapur në flagrancës, po transportonin një kosh mbeturinash, i cili përmbante sende të dyshuara të marra nga Qendra e Thirrjeve në rrugën “Ibrahim Rugova”, të cilat ishin duke i asgjësuar.

Në kushtet e kapjes në flagrancë është kërkuar mbështetja e punonjëve të Policisë të Drejtorisë Vendore Tiranë.

Shtetasin e arrestuar në flagrancë janë 6 persona me inicialet: R.Gj., D.Q., E.Gj., E.M.,R.P.,O.K..

Gjithashtu, paralelisht me identifikimin e Qendrës së dytë të thirrjeve, në sajë të veprimeve verifikuese, janë nxjerrë dhe ekzekutuar urdhrat e ndalimit për shtetasit me inicialet; K.K. dhe H.XH., si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Në ecuri të veprimeve hetimore, në datë 17.1.2026, janë lëshuar dhe urdhrat e ndalimit për tre shtetas të tjerë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga netet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, të cilët nuk janë gjetur deri në këto momente.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në 28 ambiente; banesa, automjete, zyra, garazhde, etj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, qindra pajisje kompjuterike të cilat janë në proces verifikimi, sisteme monitorimi të kamerave, sisteme të rrjetit kompjuterik, pajisje memorizuese, server, dokumente të Qendrës së Thirrjeve, subjektit “Infinite” shpk dhe subjekteve të tjerë në proces verifikimi. Gjithashtu janë sekuestruar edhe automjete të përdorur nga autorët e dyshuar, motomjete si dhe një automjet luksoz i markës Ferrari, që dyshohet se i përket organizatorëve të këtij aktiviteti.

Prokuroria e Posaçme vijon kryerjen e veprimeve hetimore për inventarizimin e të gjitha pajisjeve kompjuterike, sekuestrimin, analizimin e tyre si dhe identifikimin e të gjithë viktimave të veprës penale, në bashkëpunim me autoritetet e huaja.

Falenderojmë Policinë e Shtetit për mbështetjen e dhënë në fazën e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme si edhe gjatë veprimeve të mëtejshme për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.

Prokuroria e Posaçme falenderon në mënyrë të veçantë edhe stafin e emisionit investigativ italian “Le Iene” të “Mediaset”, falë punës të së cilëve, u bë e mundur inicimi dhe hetimi i këtij rasti të mashtrimit masiv në Qendrën e Thirrjeve në Shqipëri.

Gjithashtu, SPAK u tërheq vëmendjen qytetarëve dhe medias për fenomenin e mashtrimit online përmes Qendrave të Thirrjeve (Call Center) dhe kjo është një veprimtari që do vazhdojë të ndiqet me prioritet edhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Nga ana tjetër, një apel u shkon edhe shtetasve që punojnë në këto qendra, për t’u ndërgjegjësuar dhe për t’u mos bërë pjesë e veprimtarive të paligjshme”, njofton SPAK.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shperndaje:
👉 Shiko më shumë 👈