Tetë vendet anëtare të NATO-s, të cilat presidenti amerikan Donald Trump i ka kërcënuar me tarifa duke filluar nga 1 shkurti, kanë lëshuar të dielën një deklaratë të përbashkët si reagim ndaj vendimit.
Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Norvegjia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar do të përballen me tarifa 10% për eksportet drejt SHBA-së nga muaji shkurt, të cilat do të rriten në 25% në qershor.
Megjithatë, në letër, vendet theksojnë se ato “qëndrojnë në solidaritet të plotë me Mbretërinë e Danimarkës dhe popullin e Grenlandës”.
“Jemi të gatshëm të angazhohemi në një dialog të bazuar në parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial, të cilave u qëndrojmë fort,” thuhet në deklaratë.
Të gjitha tetë vendet janë anëtare të NATO-s dhe nënvizojnë se janë “të përkushtuara për të forcuar sigurinë në Arktik si një interes i përbashkët transatlantik”.
Për këtë qëllim, ato theksuan se ushtrimi i fundit danez në Grenlandë, i quajtur “Arctic Endurance”, ishte një reflektim i këtij qëllimi dhe “nuk përbën kërcënim për askënd”.
Synimi i presidentit amerikan për të marrë kontrollin e Grenlandës ka shkaktuar tensione mes anëtarëve të aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO. Shumica e këtyre shteteve janë evropiane, por deklaratës iu bashkua edhe Kanadaja, duke dalë në mbrojtje të sovranitetit të Danimarkës, të cilës i përket Grenlanda.