Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj S.R., i cili u arrestua një ditë më parë nën dyshimet për sulm ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe të Policisë së Kosovës më 2023.
Gjykata tha se vendimi për paraburgim ishte masë adekuate për shkak të rrezikut se nëse i pandehuri do të lihej në liri, ai do të mund të arratisej, pasi që ka edhe nënshtetësi të Serbisë dhe “në këtë mënyrë do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë”. Po ashtu, duke argumentuar masën e paraburgimit, Gjykata tha se nëse S.R. do të lihej në liri ai do të mund të asgjësojë apo ndryshojë provat dhe të pengojë hetimet.
Sipas njoftimit, S.R. dyshohet se më 29 maj të vitit 2023, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin e Komunës së Zveçanit, në koordinim me të dyshuar tjerë serbë nga Kosova dhe Serbia, përmes dhunës kanë tentuar që të “pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit” dhe përkundër urdhrave të KFOR-it për shpërndarjen e qetë të turmës, ai dhe të tjerët kanë ushtruar dhunë ndaj tyre.