Një rast i grabitjes është raportuar pasditen e së hënës në Prishtinë, ku sipas informatave, një person dyshohet se ia ka marrë telefonin një vajze në restorantin “Mozzart” në lagjen Ulpiane.
Ngjarja ka ndodhur më 19.01.2026 rreth orës 16:00, në rrugën “Motrat Qiriazi”, ku viktima D. J. ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari Leart Sejdiu, i cili më pas ia ka marrë telefonin.
Sipas deklarimit të viktimës, i dyshuari, pasi është larguar disa metra, e ka hedhur telefonin në tokë, në momentin kur ka vërejtur se disa dëshmitarë po vraponin në drejtim të tij.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore, të cilat e kanë shoqëruar të dyshuarin në Stacionin Policor Jug, ndërsa janë identifikuar edhe dy dëshmitarë që kanë qenë prezent në momentin e incidentit dhe të njëjtit janë intervistuar.
Me urdhër të Prokurorit për Krime të Rënda, rasti është iniciuar si “Grabitje”, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rasti po trajtohet nga organet kompetente dhe mbetet nën hetime.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.