Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Janina Ymeri, ka reaguar pas padisë së parashtruar të Korporatës Energjetike të Kosovës, ndaj saj. Sipas Ymerit, KEK-u si ndërmarrje shtetërore, në bazë të ligjit i ndalohet të kërkojë dëmshpërblim për shpifje andaj sipas saj kjo është bërë vetëm për ta frikësuar.
Ymeri akuzon kryeministrit në detyrë Albin Kurti, se po e përndjekë politikisht përmes të emëruarve të tij në KEK.
Sipas LIGJIT NR. 02/L-65 LIGJI CIVIL KUNDËR SHPIFJES DHE FYERJES, Neni 5.4, autoritetet publike ndalohen shprehimisht të kërkojnë dëmshpërblim për shpifje. KEK-u është 100% shtetëror. Juristët e KEK-ut e dinë (ose duhet ta kenë ditur) këtë, por e kanë dorëzuar padinë vetëm për tendencë frikësimi dhe përndjekjeje – gjë që dëshmohet edhe nga publikimi i qëllimshëm i adresës sime të banimit qe është shkelje flagrante e LIGJI NR. 06/L-082 PËR MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE. Duke marrë parasysh që KEK është një ndërmarrje e menaxhuar nga të emëruar politikë, kjo padi është një akt i përndjekjes politike të orkestruar nga Albin Kurti dhe sejmenet e tij në KEK”, ka thënë Ymeri përmes një reagimin në faqen e saj në Facebook.
Tutje, deputetja e zgjedhur e LDK-së ka thënë se akoma nuk ka pranuar ndonjë ftesë apo njoftim zyrtar nga Gjykata.