Të hënën, më 19 janar, në Gjykatën Speciale të Hagës do të dorëzohen dosjet përfundimtare në rastin ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prokuroria, avokati i viktimave dhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do t’i dorëzojnë dosjet përkatëse trupit gjykues.
Pas dorëzimit të këtyre dosjeve, mbetet fjala përfundimtare, e cila pritet të mbahet nga 9 deri më 18 shkurt, ndërsa me përfundimin e saj procesi gjyqësor konsiderohet zyrtarisht i mbyllur.
Krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, pa asnjë mundësi lirimi nga paraburgimi deri në këtë fazë të procedurës.
Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, gjykatësit do të kenë një afat prej tre muajsh për të shpallur vendimin e shkallës së parë, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj të tjerë.