Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, tha të martën se kundërpërgjigjja e vendit të tij ndaj çfarëdo sulmi do të ishte e ashpër, me gjasë duke reaguar ndaj një paralajmërimi nga presidenti amerikan, Donald Trump, se aim und t’u japë dritë të gjelbër sulmeve të reja kundër këtij shteti, nëse Teherani i rindërton programet bërthamore ose të raketave balistike.
“Përgjigjja e Republikës Islamike të Iranit ndaj çfarëdo agresioni mizor do të jetë e ashpër dhe dekurajuese” – tha Pezeshkiani në rrjetin X, pa dhënë hollësi, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Trumpi i bëri komentet e tij gjatë bisedimeve të gjera me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida.
“Tani po dëgjoj se Irani po mundohet që të rindërtojë përsëri dhe, nëse është ashtu, ne do të detyrohemi që t’i rrëzojmë. Do t’i rrëzojmë. Do t’i rrëzojmë keq, por shpresoj se kjo nuk do të ndodhë” – paralajmëroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Dy udhëheqësit e diskutuan mundësinë e përtëritjes së veprimeve ushtarake kundër Teheranit gjashtë muaj pas luftës 12-ditore ajrore mes Izraelit e Iranit në qershor, e cila shpërtheu pas një sulmi të befasishëm izraelit ndaj caqeve strategjike iraniane.
Shtetet e Bashkuara kryen një varg sulmesh ndaj objekteve kyçe bërthamore të Iranit dhe më pas shpejt ndërmjetësuan një armëpushim mes Izraelit e Iranit.
Trumpi të hënën la të kuptohej se aim und të urdhërojë një sulm tjetër amerikan kundër Iranit.
“Nëse kjo vërtetohet, ata i dinë pasojat dhe pasojat do të jenë shumë të fuqishme, ndoshta më të fuqishme se herën e fundit” – paralajmëroi presidenti amerikan.
Presidenti iranian tha të shtunën se tensionet mes dy palëve tashmë janë rritur. “Ne jemi në një luftë të shkallës së plotë me ShBA-në, Izraelin dhe Evropën. Ata nuk duan që vendi ynë të mbetet stabil” – tha ai.
Gazetax.com