Njësia A3 ndalet përkohësisht nga operimi, KEK-u: Situata është e përkohshme

Njësia A3 ndalet përkohësisht nga operimi, KEK-u: Situata është e përkohshme
👉 Shiko më shumë 👈

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se sot, rreth orës 18:40, ka ndodhur ndalja e përkohshme e Njësisë A3 nga operimi, pasi ka vepruar releja mekanike e Buchholz-it të bllok-transformatorit energjetik 15.75/220 kV, 240 MVA.

Sipas KEK-ut, kjo ndalesë është realizuar në përputhje të plotë me standardet dhe parametrat e sigurisë teknike.

Në njoftim thuhet se ekipet profesionale dhe teknike të KEK sh.a. kanë nisur menjëherë verifikimet dhe kontrollet e nevojshme për të identifikuar shkakun e kësaj ndalese, si dhe për të ndërmarrë masat përkatëse për sanimin e situatës, në përputhje me procedurat teknike operative.

KEK sh.a. ka sqaruar gjithashtu për opinionin publik se, pavarësisht ndaljes së Njësisë A3, operimi i sistemit elektroenergjetik po vazhdon në mënyrë të qëndrueshme dhe të kontrolluar. Aktualisht, sistemi po operon me katër njësi gjeneruese: A4, A5, B1 dhe B2, në përputhje me planin e prodhimit dhe bilancin energjetik të aprovuar.

Sipas njoftimit, njësia e pestë aktivizohet sipas nevojës dhe parametrave teknikë, me qëllim të adresimit të rritjes së konsumit, pa cenuar stabilitetin dhe sigurinë operative të sistemit.

Në fund, KEK sh.a. ka falënderuar stafin teknik dhe punonjësit për reagimin profesional dhe angazhimin e vazhdueshëm në garantimin e operimit të sigurt dhe të besueshëm të kapaciteteve prodhuese.

Shperndaje:
👉 Shiko më shumë 👈