Lajmi fundit | Reaguan për dhunë në familje, 4 policë sulmohen nga tre persona në Poslisht të Prizrenit

Lajmi fundit | Reaguan për dhunë në familje, 4 policë sulmohen nga tre persona në Poslisht të Prizrenit
👉 Shiko më shumë 👈

Një ndërhyrje policore për një rast të dyshuar të dhunës në familje ka përfunduar me sulm ndaj zyrtarëve policorë, gjatë orëve të para të mëngjesit në fshatin Poslisht.

Sipas informacioneve që ka siguruar ekskluzivisht Sinjali, më 19.01.2026, rreth orës 02:00, dy patrullat policore janë përgjigjur një informacioni për dhunë në familje në këtë fshat.

Në vendin e ngjarjes, policia ka kontaktuar me viktimën, e cila ishte në oborr dhe ka deklaruar se ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti. Ajo më pas i ka shoqëruar zyrtarët policorë brenda në shtëpi për të kontaktuar me të dyshuarin.

Në atë moment, sipas informacioneve, janë paraqitur bashkëshorti i viktimës, vëllai i tij dhe prindi i tij, të cilët, të revoltuar, pa paralajmërim kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe janë vërsulur në drejtim të viktimës, duke detyruar policinë të ndërhyjë fizikisht për ta mbrojtur atë.

Situata u përshkallëzua edhe më tej, kur bashkëshorti i viktimës ka tentuar të dalë jashtë shtëpisë për ta sulmuar sërish, por është ndjekur nga zyrtarët policorë, të cilët kanë arritur ta parandalojnë.

Pas daljes jashtë objektit, siç thonë burimet, sulmi ndaj policëve ka vazhduar në mënyra të ndryshme – fizikisht dhe edhe me gjuajtje gurësh në drejtim të tyre.

Për ta vënë situatën nën kontroll, në vendin e ngjarjes është përdorur edhe spreji i syve, ndërsa është kërkuar asistencë shtesë policore.

Menjëherë në atë drejtim janë nisur edhe patrullat tjera, të cilat me të arritur kanë hasur një nga të dyshuarit duke gjuajtur me gurë ndaj policëve. I njëjti ka tentuar të ikë, por është ndalur dhe arrestuar nga njësitë policore.

Si pasojë e përleshjes, 4 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.

Të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dërguar në stacion policor, ndërsa rasti është marrë në trajtim nga hetimet rajonale.

Rreth orës 03:00, rasti është trajtuar proceduralisht edhe nga ekipi i kujdestarisë i SRH-DRP.

Njërit nga të dyshuarit i është ofruar ndihmë mjekësore, pasi ka pretenduar se kishte lëndime gjatë arrestimit.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.

Shperndaje:
👉 Shiko më shumë 👈