Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për rinumërimin e 914 vendvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Vendimi u mor në mbledhjen e 3-të të KQZ-së për këtë vit, e cila u kryesua nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi. Në fillim të mbledhjes, anëtarët e KQZ-së u njohën me raportin nga verifikimi i votave të kandidatëve në 2 për qind të vendvotimeve, transmeton Zeri.info.
Sipas raportit, më 10 janar 2026, Sekretariati i KQZ-së ka shqyrtuar videoincizimet e kamerave të vendosura në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit, ku janë evidentuar mospërputhje të votave për kandidatë. Pas kësaj, SKQZ ka realizuar verifikim të brendshëm të fletëvotimeve për kandidatë në 52 vendvotime nga të gjitha komunat e vendit.
Deri më 12 janar 2026, janë verifikuar 33 vendvotime, ku është konstatuar se votat e numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk përputhen me numrin e votave të evidentuara në fletëvotime.
Në bazë të këtyre gjetjeve, KQZ ka vendosur që në 10 komuna të rinumërohen 100 për qind e vendvotimeve: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug. Ndërkaq, në 28 komunat e tjera do të rinumërohen nga 10 për qind e vendvotimeve, përfshirë Prishtinën, Pejën, Gjilanin, Prizrenin, Gjakovën, Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut, si dhe komunat tjera të listuara në vendim.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se nëse gjatë rinumërimit konstatohen manipulime eventuale me votat e kandidatëve brenda subjekteve politike, KQZ do t’i procedojë anëtarët e ekipeve të numërimit në organet kompetente.
Rinumërimi do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe do të nisë sot, më 13 janar 2026, në orën 18:00.