Reshjet e shumta të shiut që kanë përfshirë Kosovën gjatë ditës së sotme kanë shkaktuar përmbytje në disa qytete, duke dalë jashtë parashikimeve fillestare të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), i cili për këtë javë kishte paralajmëruar vetëm riga shiu.
Pamjet nga terreni tregojnë situatë të rënduar sidomos në Gjakovë, Junik, Deçan, Malishevë, Rahovec dhe Klinë, ku rrugë të tëra janë vërshuar nga uji, ndërsa në disa zona uji ka hyrë edhe në shtëpi e objekte tjera.
Në disa raste, veturat janë parë pothuajse të mbuluara nga uji, duke e bërë të vështirë qarkullimin.
Sipas parashikimit të motit të publikuar nga IHMK për periudhën 05–09 janar 2026, java ishte paraparë të karakterizohej me mot kryesisht të vranët, i shoqëruar me riga shiu dhe fjolla bore, pa paralajmërime për reshje intensive apo rrezik për përmbytje.
Megjithatë, situata në terren ka rezultuar ndryshe, me reshje të dendura që kanë shkaktuar vërshime të menjëhershme, duke ngritur shqetësime për kapacitetin e kanalizimeve dhe përgatitjen institucionale ndaj kushteve ekstreme të motit.
Autoritetet lokale u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, veçanërisht në trafik, ndërsa pritet që ditëve në vijim temperaturat të pësojnë rënie të ndjeshme, çka mund të sjellë edhe ngrica, sidomos nga dita e enjte.
Ndërsa, vetë sot Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar sot për rrezik të vërshimeve të tjera lokale, si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut. Sipas këtij njoftimi, disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtretërit, duke rritur rrezikun për përmbytje në zonat përreth.
IHMK u ka bërë thirrje qytetarëve dhe institucioneve përkatëse që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat e ulëta dhe pranë rrjedhave ujore, ndërsa situata do të vazhdojë të monitorohet.