Elezi: Rinumërimi ka për qëllim garantimin e saktësisë së rezultatit, KQZ-ja mund të shtojë numrin e vendvotimeve

Elezi: Rinumërimi ka për qëllim garantimin e saktësisë së rezultatit, KQZ-ja mund të shtojë numrin e vendvotimeve
👉 Shiko më shumë 👈

914 kuti votimi do të hapen sërish dhe kësaj radhe për t’u rinumëruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Dyshimet për mospërputhje të votave ndërmjet kandidatëve për deputetë të subjekteve të ndryshme politike, ka detyruar KQZ-në që të marrë vendim për rinumërimin e një numri kaq të madh të vendvotimeve, të cilat përbëjnë 36% të tyre në nivel vendi.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ka treguar për Ekonominë Online se qëllimi i rinumërimit është garantimi i saktësisë së rezultatit të zgjedhjeve.
Vendimi i KQZ-së për rinumërim vjen pas gjetjeve nga verifikimi i votave të kandidatëve për deputetë nga 33 vendvotime të ndryshme, ku rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve ashtu siç janë në fletëvotime.

“Vendimi i KQZ-së për rinumërimin e votave ka për qëllim garantimin e saktësisë dhe integritetit të procesit zgjedhor. Ky veprim synon verifikimin e çdo vote dhe sigurimin që rezultati përfundimtar të pasqyrojë në mënyrë të drejtë dhe të besueshme vullnetin e qytetarëve”, tha Elezi.

Elezi tregoi se varësisht nga gjetjet gjatë procesit të rinumërimit, KQZ-ja mund të marrë vendim të ri për të zgjeruar rinumërimin në komunat ku fillimisht është vendosur të rinumërohen vetëm nga 10% e vendvotimeve.

“Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të kemi rinumërim të të gjitha vendvotimeve, ndërkaq në 28 të tjera do të rinumërohen vetëm nga 10% e vendvotimeve të tyre. Varësisht nga gjetjet gjatë rinumërimit, KQZ mund të marrë vendim të ri për rinumërim të vendvotimeve të tjera”, tha Elezi.

Shperndaje:
👉 Shiko më shumë 👈