Një incident i rëndë ka ndodhur sot në fshatin Rogaçicë të Kamenicës, ku një person dyshohet se ka sulmuar dy zyrtarë policorë gjatë një ndërhyrjeje në terren, si pasojë e një mosmarrëveshjeje familjare.
Sipas informatave , rreth orës 14:00, Policia ka pranuar njoftim se në këtë fshat po zhvillohej një konflikt familjar dhe patrulla ka dalë menjëherë në vendngjarje.
Në lokacion, zyrtarët policorë kanë kontaktuar ankuesin A. K, i cili ka deklaruar se Rilind Kryeziu kishte shkuar te shtëpia e tij dhe kishte tentuar ta sulmonte.
Situata është përkeqësuar kur Policia ka kërkuar dokument identifikimi nga i dyshuari, por ai ka refuzuar të identifikohet, ka filluar t’i fyejë zyrtarët policorë me fjalë banale, e më pas është vërsulur në drejtim të njërit prej zyrtarëve.
Në momentin e sulmit, ka ndërhyrë zyrtari tjetër policor për ta vënë situatën nën kontroll, por i dyshuari ka shfaqur rezistencë aktive me duar bosh, duke bërë që dy zyrtarët policorë të pësojnë lëndime trupore, të cilat janë trajtuar në QMF – Kamenicë.
Pas arrestimit dhe shoqërimit në stacion, i dyshuari është testuar dhe ka rezultuar nën ndikim të alkoolit, me nivel 0.55, ndërsa i njëjti ka marrë trajtim mjekësor edhe në emergjencën e Gjilanit.
Lidhur me rastin, Prokurori kujdestar ka urdhëruar inicimin e rastit “Sulm ndaj personit zyrtar”, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.