Një person është arrestuar pas një ndjekjeje në këmbë në magjistralen Ferizaj Prishtinë, konkretisht në fshatin Prelez i Jerlive, pasi dyshohet se kishte me vete mjete të rrezikshme dhe tentoi t’i ikë Policisë.
Burimet e Gazetax bëjnë të ditur se rreth orës 01:50, njësia reaguese, gjatë përgjigjes ndaj një informate për një mosmarrëveshje, ka vërejtur të dyshuarin i cili u largua me vrap në drejtim të fushave.
Policia e ka ndjekur në këmbë dhe ndjekja ka zgjatur rreth 2 kilometra, derisa zyrtarët kanë arritur ta ndalojnë dhe ta arrestojnë.
I dyshuari është identifikuar si A.I.
Gjatë kontrollit trupor, sipas burimeve, tek ai janë gjetur dhe sekuestruar: një thikë, këllëfi i thikës, një shufër metalike.
Pas shoqërimit në stacion, rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, ndërsa procedura është vazhduar në konsultim me organet kompetente.
Por, detaji më i rëndë doli gjatë verifikimeve në sistem.
GazetaX mëson se i dyshuari kishte urdhëresë aktive të Gjykatës Themelore në Ferizaj, ndërsa përmes aktgjykimit të konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit, ai rezulton i dënuar për veprën penale:
“Vrasja në tentativë”
Sipas vendimit, ndaj tij ishte shqiptuar dënim me burgim prej 3 vite e 6 muaj.
Me këtë rast, në koordinim me Drejtorinë e Burgjeve, i dyshuari është dërguar në Qendrën Korrektuese në Dubravë, për vuajtjen e dënimit.