Në Kosovë po shënohet një rritje shqetësuese e shitjes së barnave ilegale, si përmes platformave online ashtu edhe në disa barnatore, pa asnjë mbikëqyrje institucionale.
Gazeta Insajderi ka hasur në disa faqe online që operojnë në Kosovë, ku reklamohen dhe shiten barna për ndërprerje të shtatzënisë, në kundërshtim të plotë me legjislacionin në fuqi. Këto barna, të cilat sipas protokolleve mjekësore duhet të përdoren vetëm nën mbikëqyrjen e stafit shëndetësor, po ofrohen për përdorim në shtëpi, pa asnjë kontroll profesional.
Një praktikë e tillë përbën rrezik serioz për shëndetin dhe jetën e grave, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për barna ilegale, përdorimi i të cilave mund të shkaktojë komplikime të rënda shëndetësore.
Ndërkohë, shqetësimi është ngritur publikisht edhe nga gazetarja Saranda Ramaj, e cila përcjell fushën e shëndetësisë. Ajo ka publikuar në rrjetin social Facebook disa fotografi që dëshmojnë mënyrën se si barna për abort po shiten ilegalisht online në Kosovë.
Në pamjet e publikuara shihet se këto barna, në mënyrë të koduar, po ofrohen përmes faqes së shpalljeve “MerrJep”, duke u maskuar si shpallje për qira apo produkte të tjera, ndërsa në fotografi dhe përshkrime shfaqen qartë barnat dhe udhëzimet për përdorimin e tyre.