Një 32-vjeçar është ekstraduar nga Greqia për në Shqipëri për t’u përballur me akuzat për plagosje të rëndë në Durrës. Ai kishte plagosur një person me thikë gjatë një konflikti.
“Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të tyre në Athinë, u finalizua në vijim të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, procedura për ekstradimin nga Greqia në Shqipëri, të shtetasit A. M., 32 vjeç, të lindur në Bulqizë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Ngjarja ka ndodhur më 6 tetor 2022, në lagjen nr. 13 të Durrësit, ku A. M. për motive të paqarta, ka plagosur disa herë me thikë shtetasin B. F.
32-vjeçari kërkohej ndërkombëtarisht, sepse në vitin 2024, Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.