Një ditë pas operacionit ushtarak të SHBA-së në Venezuelë, presidenti amerikan Donald Trump të dielën përsëriti thirrjet që SHBA-ja ta marrë nën kontroll Grenlandën – territor ky danez – për hir të interesave të sigurisë së SHBA-së, dhe kërcënoi me veprim ushtarak ndaj Kolumbisë duke pretenduar se po lehtëson shitjen e kokainës, ndërsa diplomati i tij kryesor deklaroi se qeveria komuniste në Kubë është “në shumë telashe”, raporton agjencia "AP".
Komentet e Trumpit dhe të sekretarit të Shtetit Marco Rubio pas kapjes së Nicolas Maduros në Venezuelë nënvizojnë se administrata amerikane është serioze për të marrë një rol më të gjerë në Hemisferën Perëndimore. Në operacion u arrestua Maduro dhe bashkëshortja e tij, ndërsa ata do to dhe bashkëshortja e tij, ndërsa ata do të gjykohen në SHBA për narkoterrorizëm.
Me kërcënime pak të maskuara, Trumpi po trondit miq dhe armiq, duke nxitur një pyetje të drejtpërdrejtë në mbarë globin: Kush vjen më pas?
“Është kaq strategjike tani. Grenlanda është e mbuluar me anije ruse dhe kineze kudo,” u tha Trump gazetarëve ndërsa po kthehej me avion nga Florida drejt Washingtonit. “Na duhet Grenlanda nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare, dhe Danimarka nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë.”
I pyetur gjatë një interviste për The Atlantic më herët të dielën se çfarë mund të paralajmërojë veprimi ushtarak i SHBA-së në Venezuelë për Grenlandën, Trump u përgjigj: “Ata do të duhet ta shohin vetë. Vërtet nuk e di.”
Trump, në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të administratës së tij të publikuar muajin e kaluar, ka përcaktuar rikthimin e “epërsisë amerikane në Hemisferën Perëndimore” si një pikë orientuese qendrore për mandatin e tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.
Trump i është referuar gjithashtu Doktrinës Monroe të shekullit XIX, e cila kundërshton kolonializmin evropian, si edhe Korolarit të Rooseveltit — një justifikim i përdorur nga SHBA-ja për të mbështetur shkëputjen e Panamasë nga Kolumbia, që ndihmoi në sigurimin e zonës së Kanalit të Panamasë për SHBA-në — ndërsa ka argumentuar për një qasje më të ashpër ndaj fqinjëve amerikanë dhe më gjerë.
Trump madje ka bërë shaka se disa tani i referohen dokumentit themelor të presidentit të pestë të SHBA-së si “Doktrina Don-roe”.
Shqetësime në Danimarkë
Operacioni i forcave amerikane në orët e para të së shtunës në Karakas dhe komentet e Trumpit të dielën shtuan shqetësimet në Danimarkë, e cila ka juridiksion mbi Grenlandën - ishullin e madh dhe të pasur me minerale.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen deklaroi se Trump “nuk ka asnjë të drejtë ta aneksojë” territorin. Ajo gjithashtu i kujtoi Trumpit se Danimarka tashmë i ofron Shteteve të Bashkuara, një aleat dhe anëtar i NATO-s, akses të gjerë në Grenlandë përmes marrëveshjeve ekzistuese të sigurisë.
“Prandaj do t’i bëja thirrje fuqishëm SHBA-së të ndalojë së kërcënuari një aleat historikisht të afërt dhe një vend e popull tjetër që e kanë bërë shumë të qartë se nuk janë për shitje,” tha Frederiksen.
Danimarka të dielën iu bashkua gjithashtu një deklarate të Bashkimit Evropian që thekson se “e drejta e popullit venezuelan për të përcaktuar të ardhmen e tij duhet të respektohet”, ndërsa Trump ka premtuar ta “drejtojë” Venezuelën dhe i ka bërë presion presidentes në detyrë, Delcy Rodriguez.