Sistemi shëndetësor i Kosovës mund të transformohet rrënjësisht përmes një formule të qartë financiare që i jep fund pritjes dhjetëvjeçare për sigurime shëndetësore. Sipas një analize të bazuar në statistikat e OBSH-së, nevojitet një infuzion vjetor prej rreth 70 milionë eurosh nga Qeveria për ta bërë këtë projekt plotësisht funksional.
Këtë plan dhe shifrat përkatëse i ka bërë publike përmes një statusi ish-deputeti Naser Rugova.
Ai argumenton se shpenzimet totale mjekësore brenda Kosovës kapin shifrën prej rreth 290 milionë euro në vit. Sipas Rugovës, jetësimi i këtij projekti vital kërkon vetëm vullnet politik dhe lidership kompetent.
Sipas formulës së prezantuar nga ish-deputeti Rugova, financimi do të mbështetej në dy shtylla:
Kontributet nga pagat (7%): Do të gjeneronin rreth 222 milionë euro në vit (mbuluar nga punëdhënësit dhe punëmarrësit). Kjo mbulon rreth 75–77% të nevojës vjetore.
Qeveria duhet të shtojë rreth 68 milionë euro për të mbuluar 100% të kostove brenda vendit.
Shërimet jashtë vendit: Miliona euro që “avullohen”
Ky propozim vjen në një kohë kur Kosova vazhdon të shpenzojë shuma të larta për trajtime jashtë institucioneve publike. Vetëm për vitin 2025, buxheti i ndarë për trajtime jashtë vendit dhe në spitale private është rritur në rreth 10 milionë euro (nga 8 milionë sa ishte në vitin paraprak).
Megjithatë, llogaritet se shuma reale që qytetarët shpenzojnë privatisht jashtë vendit çdo vit është shumë më e lartë, duke arritur shifra që rëndojnë tej mase buxhetet familjare.
Realizimi i kësaj skeme do të ndërpiste praktikën e rëndë të “shpenzimeve nga xhepi” dhe do të siguronte që paratë e qytetarëve të mbeten brenda sistemit shëndetësor të Kosovës, duke rritur cilësinë e shërbimeve dhe barazinë në trajtim./Gazeta X