Maqedonci: Kosova forcon mbrojtjen me artileri moderne dhe dronë strategjikë

Maqedonci: Kosova forcon mbrojtjen me artileri moderne dhe dronë strategjikë
👉 Shiko më shumë 👈

Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci konfirmoi se paraprakisht ai do të jetë ministër i Mbrojtjes edhe në qeverinë e re Kurti.
Gjatë intervistës për Euronews, Maqedonci u ndal te investimet në fushën e mbrojtjes ndërsa theksoi se ato janë pjesë e një strategjie të qartë për garantimin e sovranitetit territorial të Kosovës dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve të saj

Sipas Maqedoncit, këto investime të Kosovës në fushën e mbrojtjes nuk përbëjnë kërcënim për asnjë shtet fqinj, por janë të orientuara drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse në përputhje me standardet e NATO-s dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai vuri në dukje se kontratat e nënshkruara së fundmi me SHBA-në dhe Turqinë, përfshirë sistemet moderne të artilerisë dhe dronëve dhe dëshmojnë mbështetjen e vazhdueshme të aleatëve për Kosovën.

“Kontrata e fundit që kemi bërë në Amerikë është një nga kontratat më të mira. Ajo ka për qëllim furnizimin me disa sisteme ku më i veçanti është sistemi i artilerisë lëvizëse, një artileri moderne, e zhvilluar së fundmi. Prototipi i parë i këtij topi u bë në vitin 2021, dhe Kosova është vendi i parë në botë, përveç SHBA-së, që ka prokuruar këtë sistem. Ai është modern dhe është krijuar pas fillimit të luftës në Ukrainë, i adaptuar dhe modifikuar, me qëllim mbrojtjen nga dronet dhe mjete të tjera. Sistemi mund të vendoset në pozicione të ndryshme dhe është ndër më modernët. Jemi me fat që SHBA-ja ka shfaqur vullnet dhe gatishmëri për të na mbështetur. Sipas kontratës, brenda dy viteve dërgesa do të vijë komplet, por diskutimet janë që brenda vitit 2026 të kemi sistemet e para të artilerisë lëvizëse. Kontrata parashikon gjithashtu trajnim, opsione rezervë dhe automjete të tjera”, tha ai.

Maqedonci shpjegoi edhe kapacitetet e Kosovës në fushën e dronëve, duke se vendi disponon disa lloje mjetesh ajrore pa pilot, të cilat shërbejnë si për vëzhgim ashtu edhe për operacione taktike dhe sulmuese, në funksion të rritjes së sigurisë dhe mbrojtjes territoriale të vendit.

“Sa i përket dronëve nga Turqia, deri më tani Kosova ka blerë tre lloje dronësh. Dronët Bajraktar janë të pajisur me kapacitete vëzhgimi dhe mundësi sulmesh ajrore. Po ashtu kemi dronët Puma, të blerë nga SHBA, që kanë mbërritur gjatë këtij viti. Përveç tyre, kemi dronët vetëvrasës me efekt sulmi, prodhim i ri i fabrikës Bajraktar, të cilët i kemi marrë tre muaj para afatit të pranimit, në vjeshtën e vitit 2025. Tani kemi tre lloje dronësh që do të mund të mbulojnë hapësira të ndryshme gjeografike dhe do të përdoren për nevoja taktike dhe operacionale”, tha ai.

Maqedonci nënvizoi gjithashtu rëndësinë e ndërtimit të fabrikës së parë të municioneve në Kosovë, e cila jo vetëm që do të plotësojë nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe do të krijojë mundësi eksporti dhe zhvillimi ekonomik.

“Për fabrikën që do të ndërtohet për herë të parë në Kosovë, aty do të prodhohen dy lloje municionesh, 5.56 dhe 7.62, që përdoren në ushtritë e NATO-s. Kontrata është nënshkruar më 16 dhjetor të vitit të kaluar. Municioni që do të prodhohet do të jetë sipas standardeve të NATO-s. Përveç nevojave tona, do të kemi mundësi edhe për eksport në vendet e NATO-s. Fabrika do të ndërtohet në Gjakovë, ku një zonë prej 133 hektarësh është zhvilluar si zonë industriale e mbrojtjes për këtë kompleks, dhe afër 120 hektarë do t’i jepen shfrytëzimit të kompanive private vendore dhe të huaja që kanë interes. Gjatë vizitës sime në SHBA kemi vendosur kontakte me kompani amerikane për bashkëpunim”, tha Maqedonci.

Shperndaje:
👉 Shiko më shumë 👈