Inspektori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Samir Smajli, është liruar nga aktakuza edhe në rigjykim, në rastin ku ai akuzohej për marrje ryshfeti.
Lajmin e ka konfirmuar mbrojtësi i tij, avokati Besnik R. BERISHA, duke e konsideruar vendimin e gjykatës të drejtë dhe të ligjshëm.
Sipas mbrojtjes, vendimi konfirmon se në këtë proces nuk është provuar përgjegjësia penale e z. Smajli, ndërsa pritet që arsyetimi i plotë i aktgjykimit të bëhet publik pas pranimit të vendimit me shkrim.
Hetimet në këtë rast kishin të bënin me dyshimet se i akuzuari, në cilësinë e inspektorit, kishte kërkuar ose pranuar përfitim të kundërligjshëm, por gjykata edhe në rigjykim ka vendosur ta lirojë nga aktakuza.