Të gjithë anëtarët e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin drejtuar të hënën drejt selisë së partisë në Prishtinë.
Me radhë, ata po hynin në selinë qendrore të LDK-së për të marrë pjesë në mbledhjen përcaktuese të kryesisë ku do të vendoset për çështje thelbësore rreth të ardhmes së subjektit.
Nga të gjithë që po kalonin para derës së hyrjes së selisë, përjashtim befasues bëri Xhafer Tahiri, anëtari i kryesisë që përfaqëson Degën e LDK-së në Vushtrri.
Nëse do ta merrnim të mirëqenë një zotim të kryetarit Lumir Abdixhiku, dhënë publikisht në tetor të vitit të kaluar, Xhafer Tahiri nuk do të ishte, lërë më pjesë e kryesisë, por e asnjë funksioni tjetër në LDK në këtë kohë.
Më 23 tetor të 2025-s, në një paraqitje në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, Abdixhiku u zotua të merrte masa të rënda ndaj Tahirit që lidhi pa autorizimin e partisë marrëveshje koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje për balotazhin e zgjedhjeve lokale në Komunën e Vushtrrisë.
Disa ditë pas mbylljes së raundit të parë të votimit në zgjedhjet lokale, Tahiri, i cili kandidoi për kryetar të Vushtrrisë nga LDK-ja, si i treti në garë zgjodhi të bënte ujdi për balotazh me Sylejman Mehollin e Vetëvendosjes.
Marrëveshjen, të cilën e ‘miratoi’ me prezencë edhe kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, ‘Xhafa’ e nënshkroi në një ceremoni në qendër të qytetit të Vushtrrisë.
Xhafer Tahiri duke nënshkruar koalicionin me Vetëvendosjen në qendër të Vushtrrisë më 20 tetor të vitit 2025
Sipas Abdixhikut, Tahiri nuk kishte marrë leje nga niveli qendror i partisë për ujdinë me Vetëvendosjen dhe se kjo do t’i kushtonte me përjashtim nga partia.
“Më mbani për fjale, më pritni pas datës 9 [nëntor] se nuk e lë pa e trajtu këtë rast”, tha Abdixhiku në paraqitjen e tij në Debat Plus më 23 tetor. “S’ka më me qenë në LDK, e prapa shpinës një kryetar të një partie tjetër. S’ka më!”.
Abdixhiku paralajmëroi marrjen e masave ndëshkuese ndaj Tahirit pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve lokale.
Kur kanë kaluar gati dy muaj nga certifikimi i rezultateve zgjedhore lokale, duket se Tahiri ka shpëtuar “pa ther në këmbë” për manovrat krye në vete politike në emër të LDK-së në Vushtrri.
Si çdo anëtar tjetër, edhe ai do të jetë vendimmarrës në mbledhjen e kryesisë që po mbahet sot, e cila konsiderohet të jetë një nga takimet vendimtare të LDK-së për të ardhmen e saj politike.