Dy raste të vjedhjes së rëndë janë raportuar brenda dy netëve radhazi në Obiliq, ku persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në dy lokale në rrugën “Hasan Prishtina”, duke marrë para dhe mallra brenda objekteve.
Sipas informatave, rasti i parë ka ndodhur më 19 janar 2026, rreth orës 03:00, në kafenenë “Nostra”, ku të dyshuarit kanë thyer lokalin dhe kanë marrë para dhe pije alkoolike, me vlerë rreth 300 euro.
Ndërkohë, rasti i dytë është raportuar më 20 janar 2026, rreth orës 04:20, në kafenenë “Oaza”, ku të dyshuarit kanë depërtuar brenda dhe kanë marrë kuletën e lokalit, me para në vlerë rreth 30 euro.
Pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga Njësia e Hetimeve në Stacionin Policor Obiliq, policia ka arritur të identifikojë dhe arrestojë katër persona, të dyshuar për përfshirje në këto raste.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, dy prej të dyshuarve: E. B. dhe i mituri J., janë dërguar në mbajtje në Qendrën e Ndalimit në Ferizaj.
Ndërsa dy të dyshuarit e tjerë, gjithashtu të mitur: A. dhe M. janë dërguar në mbajtje në Qendrën e Ndalimit në Lipjan.
Rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.