Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se gjendja e rrugëve që çojnë drejt pikave të kalimit kufitar është kryesisht e mirë dhe e kalueshme.
Sipas të dhënave të fundit, në shumicën e rrugëve nuk ka prani të borës, akullit, mjegullës apo rrëshqitjeve të dheut. Aksesi në rrugët Mitrovicë–Bërnjak, Gjakovë–Qafë Morinë, Gjakovë–Qafë Prushit, Gjilan–Dheu i Bardhë, Kaçanik–Hani i Elezit, Podujevë–Merdarë dhe Prizren–Vërmicë është i kalueshëm pa pengesa.
Megjithatë, janë raportuar disa segmentë ku ka prani borë dhe akulli. Në rrugën Pejë–Kullë ka mjegull dhe borë, ndërsa në aksin Prishtinë–Mutivodë janë vërejtur borë dhe akull, duke kërkuar kujdes të shtuar nga drejtuesit e automjeteve.
Policia e Kosovës apelon për kujdes të shtuar për shkak të kushteve atmosferike dhe reshjeve të borës, të cilat kanë vështirësuar qarkullimin në disa akse rrugore. Trafiku është bërë më i vështirë për shkak të borës, ngricave dhe dukshmërisë së ulët në disa rrugë, sidomos ato nacionale dhe rajonale.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës, të mbajnë distancë të sigurt nga automjetet përpara, të përdorin dritat kur dukshmëria është e dobët dhe të shmangin manovrat e rrezikshme, si parakalimet e panevojshme dhe frenimet e papritura.