Është themeluar të enjten në Davos të Zvicrës Bordi i Paqes i formuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Bordi është nënshkruar nga dhjetëra shtete, teksa kanë munguar aleatët kryesorë perëndimor të SHBA-së.
Trumpi ka thënë pas nënshkrimit se dëshiron që “Bordi i Paqes” i tij të punojë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, edhe pse kritikoi OKB-në për dështimin në përmbushjen e potencialit të saj.
“Sapo ky bord të formohet plotësisht, ne mund të bëjmë pothuajse çfarë të duam të bëjmë, dhe do ta bëjmë në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara”, ka thënë ai në Davos.
“Gjithmonë kam thënë se Kombet e Bashkuara kanë një potencial të jashtëzakonshëm. Nuk e kanë përdorur, por kanë një potencial të jashtëzakonshëm”, ka shtuar ai.
Megjithatë, ai foli ashpër për performancën aktuale të OKB-së, duke pretenduar se ajo kishte luajtur pak rol në ndërmjetësimin e konflikteve që Trumpi i numëron midis të ashtuquajturave luftëra që ai beson se i ka përfunduar.
“Për tetë luftërat që i kam përfunduar, nuk kam folur kurrë me Kombet e Bashkuara, asnjërën prej tyre”, tha Trump. “Ata u përpoqën, mendoj, dhe disa prej tyre, por nuk u përpoqën mjaftueshëm”.