Një incident serioz me kanosje ndaj personave zyrtarë është regjistruar orët e para të mëngjesit në Prizren, ku një person, pasi ka thirrur vetë Policinë për një problem të supozuar në një lokal nate, ka përfunduar i ndaluar për kërcënime dhe fyerje ndaj zyrtarëve policorë.
Ngjarja ka ndodhur më 27 janar 2026, rreth orës 02:30, në rrugën “Ismail Kryeziu” në Prizren, pranë lokalit muzikor “Swiss”.
Sipas informatave, i dyshuari Tyrhan Vuki kishte kontaktuar linjën emergjente 192, duke raportuar se kishte probleme në lokal.
Pas daljes në vendin e ngjarjes, patrulla policore ka hasur të dyshuarin në gjendje dukshëm të dehur, teksa ai po prishte rendin dhe qetësinë publike në parkingun e lokalit. Burimet bëjnë të ditur se kontakti i zyrtarëve policorë me të ka qenë tejet i vështirë, pasi i njëjti është shfaqur arrogant, jo bashkëpunues dhe agresiv në sjellje.
Situata ka eskaluar kur i dyshuari ka filluar t’i kanosë dhe fyejë zyrtarët policorë, konkretisht tre zyrtarë të Policisë së Kosovës, edhe pas shoqërimit të tij në Stacionin Policor. Sipas burimeve nga Prokuroria, kërcënimet dhe fyerjet kanë vazhduar pa ndërprerë edhe brenda objektit policor.
Për rastin janë njoftuar hetuesi kujdestar i Stacionit Policor, hetuesi kujdestar i Sektorit Rajonal të Hetimeve në Prizren, si dhe Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Kanosje ndaj personave zyrtarë”.
Me vendim të Prokurorit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa ai është dërguar në Qendrën e Ndalimit.
Hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata