Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Anton Quni, ka deklaruar se dallimi në numrin e votave të tij, pas rinumërimit të kryer në Qendrën e Numërimit në Prizren, ka ndodhur pa dashjen dhe dijeninë e tij.
Përmes një reagimi në profilin e tij në Facebook, Quni ka thënë se kjo është bërë me qëllim të njollosjes së personalitetit dhe karrierës së tij politike.
Ai u ka kërkuar falje të gjithë kolegëve kandidatë për, siç ka deklaruar, votat e të cilëve mund të jenë tjetërsuar në favorin e tij.
Deputeti i zgjedhur i LDK-së ka theksuar gjithashtu se është i gatshëm të bashkëpunojë me Policinë, Prokurorinë dhe çdo organ tjetër të drejtësisë për ta zbardhur këtë skandal deri në fund.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të publikuara në ueb-faqe dhe të përditësuara për herë të fundit në ora 12:20, nga procesi i rinumërimit Anton Quni rezulton me minus 479 vota.
Postimi i plotë:
DEKLARATË PËR MEDIAT DHE OPINIONIN PUBLIK
Në lidhje me zhvillimet e fundit dhe raportimet mbi procesin e numërimit të votave në Qendrën e Numërimit në Prizren, ndjej detyrim moral dhe qytetar që të sqaroj pozicionin tim ndaj këtyre parregullsive që cenojnë procesin zgjedhor.
Dëshiroj të bëj të ditur me përgjegjësi të plotë se çdo rritje e votave në emrin tim është bërë pa dashjen dhe pa dijeni timen. Unë nuk kam kërkuar, inkurajuar apo asistuar në asnjë formë devijimin e vullnetit të qytetarëve. Kjo ngritje artificiale e votave nuk përfaqëson mbështetjen time reale dhe as parimet e mia njerëzore.
Përmes këtij operacioni, i cili nuk mund të cilësohet ndryshe veçse si kriminal, më është njollosur personaliteti dhe karriera. Përfshirja e emrit tim në skema të tilla manipuluese është një goditje e rëndë për dinjitetin tim dhe besueshmërinë që kam ndërtuar me vite para elektoratit.
Motivin dhe qëllimin e vërtetë prapa këtij operacioni kriminal duhet ta vërtetojnë institucionet e drejtësisë.