Një incident i rrezikshëm ka ndodhur gjatë ndërrimit të viteve në Prishtinë, ku një plumb qorr ka përfunduar në një shtëpi banimi, duke shkaktuar dëme materiale dhe rrezik serioz për jetën e banorëve.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Ahmet Delija”, ndërsa rasti është raportuar më 01.01.2026 rreth orës 16:00. Sipas informatave që ka siguruar Sinjali, ankuesi E. Sh., rreth 18-vjeçar ka deklaruar se gjatë ditës, rreth orës 13:00, kishte vërejtur se një predhë kishte goditur dritaren e shtëpisë së tij, duke e thyer atë.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku përveç patrullës, kanë intervenuar edhe njësia e hetimeve dhe krim-teknika, të cilët kanë bërë ekzaminimin e vendit dhe kanë sekuestruar predhën e gjetur.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet për identifikimin e personit apo personave përgjegjës janë në vazhdim.
Policia apelon edhe një herë qytetarët që të përmbahen nga përdorimi i armëve të zjarrit dhe mjeteve të rrezikshme, pasi raste të tilla mund të përfundojnë me pasoja fatale.