Një incident i rëndë me përdorim thikë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Lipjan, ku si pasojë një person ka pësuar lëndime trupore dhe ka përfunduar në trajtim mjekësor në QKUK.
Ngjarja ka ndodhur më 26 janar 2026, rreth orës 21:00, në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Lipjan.
Sipas informatave, në Stacionin Policor në Lipjan janë paraqitur V. B. dhe vëllai i tij i mitur V.B., të cilët kanë deklaruar se, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme, janë sulmuar fizikisht nga dy persona.
Burimet bëjnë të ditur se gjatë përleshjes, njëri nga të dyshuarit, Sh. P., e ka goditur (therur) me thikë V. B. në kraharor, në anën e majtë, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Viktima është dërguar fillimisht për trajtim mjekësor dhe më pas është transferuar në QKUK, ku po merr trajtimin e nevojshëm.
Në lidhje me rastin, Policia ka identifikuar si të dyshuar G. A. dhe Sh. P..
Ky i fundit është intervistuar në prezencë të avokates mbrojtëse dhe, pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit janë në vazhdim.