Një rast i dyshuar i shitblerjes së lëndëve narkotike është zbuluar mbrëmjen e së martës në Klinë, ku Policia ka ndaluar dy persona dhe ka sekuestruar substancë të dyshuar narkotike.
Sipas informacioneve, më 21 janar 2026, rreth orës 19:30, në rrugën “Abedin Rexha” në Klinë, patrulla policore gjatë patrullimit ka ndaluar të dyshuarit Robert Kolaj dhe Safet Itaj, për të cilët kishte dyshime se po kryenin shitblerje të drogës.
Gjatë kontrollit të personave, policia ka hasur në tokë, pranë tyre, në një qese najloni, një sasi të vogël me substancë të dyshuar të llojit marihuanë, e cila sipas informatave ishte vetëm sa për mbështjelljen e një cigareje dhe nuk është matur në vendin e ngjarjes.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe, me urdhër të tij, është realizuar bastisja e banesës së të dyshuarit Robert Kolaj, ku është gjetur dhe sekuestruar një sasi tjetër e substancës së dyshuar narkotike.
Siç mëson X , matja e bërë nga njësia e DHTN-së ka rezultuar se sasia e sekuestruar ishte rreth 10 gram marihuanë.
Të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit e DHTN-së në Pejë, ndërsa rasti është iniciuar për veprat penale: Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge, dhe Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge.
Pas përfundimit të procedurave, dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.