Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot në 20-vjetorin e vdekjes Dr. Ibrahim Rugovën, duke vlerësuar rolin e tij historik në shtetndërtimin, demokratizimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.
Në mesazhin e tij përkujtimor, Kurti theksoi se periudha e pluralizmit politik dhe e rezistencës paqësore është e lidhur pazgjidhshmërisht me emrin e Rugovës, i cili udhëhoqi Lidhjen Demokratike të Kosovës që nga themelimi i saj në vitin 1989 deri në vdekjen e tij më 21 janar 2006. Sipas Kurtit, kontributi i Rugovës ishte i ndërtuar bashkë me një rreth të gjerë bashkëpunëtorësh dhe veprimtarësh që në vitet ’90 mbajtën gjallë institucionet dhe shpresën për liri.
Kurti rikujtoi se Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës në vitin 1992, në rrethana të rënda të regjimit represiv serb, duke arritur që ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe të takohet me liderë botërorë, përfshirë edhe Presidentin amerikan Bill Clinton. Ai vlerësoi urtësinë politike dhe këmbënguljen e Rugovës në rezistencën paqësore si faktorë kyç që e orientuan Kosovën drejt Perëndimit.