Një person është ndalur nga Policia e Kosovës në Obiliq, pasi gjatë një kontrolli rutinë në veturë i është gjetur një armë zjarri, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të besueshme bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 19 janar 2026, rreth orës 16:00, në rrugën “Hasan Prishtina” në Obiliq.
Sipas informatave, njësia policore gjatë pikës së kontrollit të automjeteve ka ndaluar një veturë të tipit Ford, ngjyrë hiri, me ngasës Salih Cej rreth 28 vjeç.
Gjatë kontrollit në automjet, policia ka hasur një armë zjarri të shkurtër, revole e tipit BERETA APX, ngjyrë e zezë, si dhe një karikator me 15 fishekë të kalibrit 9×19.
I dyshuari është shoqëruar dhe intervistuar, ku ka deklaruar se posedon leje për armë të shenjëtarisë, mirëpo burimet bëjnë me dije se arma dyshohet se ishte mbajtur në shkelje të kushteve të lejes.
Pas intervistimit është njoftuar Prokurori kujdestar, ndërsa rasti është iniciuar dhe do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Me urdhër të Prokurorit, arma është sekuestruar, ndërsa hetimet lidhur me rastin do të vazhdojnë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.