Një përleshje e rëndë mes disa personave ka ndodhur mbrëmë në fshatin Gaçkë të Ferizajt, ku dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe dyshohet se gjatë incidentit është përdorur mjet i mprehtë (thikë).
Burime të Gazetës X bëjnë të ditur se rasti është raportuar më 20 janar 2026, rreth orës 23:05, si “rrahje në progres” afër shkollës “Imri Halili”, ku patrullat policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë hasur disa persona duke u përleshur.
Sipas informatave, në vendin e ngjarjes janë ndaluar gjithsej 7 persona:
E.N, rreth 18-vjeçar
V.B rreth 18-vjeçar
Mentor Velija, rreth 20-vjeçar
R.V rreth 18-vjeçar
M.V rreth 18-vjeçar
Sejar Ibishi, rreth 18-vjeçar
Ardian Velia, rreth 18-vjeçar
Dy prej të përfshirëve kanë rezultuar me lëndime trupore, ndërsa njërit prej tyre policia i ka ofruar ndihmën e parë në vendngjarje. Lëndimet dyshohet se janë shkaktuar nga thika, por pavarësisht kërkimeve, mjeti i mprehtë nuk është gjetur.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Ekipi i Emergjencës dhe Njësia e Hetimeve, ndërsa të dyshuarit janë shoqëruar në Stacion Policor për intervistim.
Sipas deklarimeve të të përfshirëve, fillimisht ata kishin pasur një mosmarrëveshje verbale në një kafene në fshatin Gaçkë, e më pas konflikti ka eskaluar, duke vazhduar deri te shkolla “Imri Halili”, ku ka shpërthyer përleshja fizike.
Burimet bëjnë me dije se të lënduarit në këtë rast janë E.N dhe V.B, të cilët pas përfundimit të procedurave janë trajtuar sipas udhëzimeve të Prokurorisë.
Në konsultim me Prokuroren kujdestare, rasti është iniciuar si “Sulm”, ndërsa për shkak të përfshirjes së të miturve është njoftuar edhe Prokurori për të mitur, ku rasti është cilësuar edhe si “Lëndim i lehtë trupor”.
Me urdhër të Prokurorisë, dy të dyshuarit E.N dhe V.B janë dërguar në mbajtje për 24 orë.
Hetimet janë në zhvillim dhe priten veprime të tjera për sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.