Një tjetër rast i rëndë i drogës është evidentuar pas mesnate në Gjakovë, ku Policia ka ndërhyrë pas informacioneve operative dhe ka arritur të identifikojë një të dyshuar, te i cili dyshohet se janë gjetur narkotikë dhe mjete përcjellëse për shpërndarje.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se më 24.01.2026, rreth orës 00:20, në rrugën “Aleksander Moisiu” në Gjakovë, patrulla e Stacionit Policor ka ndaluar një dëshmitar, te i cili janë gjetur 3.14 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, si dhe një peshore digjitale.
Sipas dëshmitarit, këto sende dyshohet se i përkisnin të dyshuarit M. B., rreth 33-vjeçar.
Për rastin janë njoftuar hetuesit e DHTN-së në Gjakovë, të cilët e kanë marrë çështjen në kompetencë për hetim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është kryer bastisje në banesën e të dyshuarit, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
Një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë 12.64 gramë
Një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë 0.77 gramë
Një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit hashash, me peshë 3.06 gramë
I dyshuari është shoqëruar në zyrat e DHTN-së në Gjakovë, ku edhe është intervistuar. Pas intervistimit, Prokurori kujdestar nga PTH-Gjakovë është njoftuar lidhur me rastin dhe me urdhër të tij është iniciuar vepra penale:
“Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.