Një incident i rëndë është raportuar pasditen e së hënës në Ferizaj, ku dy persona dyshohet se kanë kanosur dhe penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, mëson Gazeta X.
Sipas informacioneve të siguruara, rasti ka ndodhur më 19.01.2026, rreth orës 17:30, në rrugën “Enver Hadri” në Ferizaj, ku zyrtarët policorë po vepronin lidhur me një parkim të parregullt.
Burimet bëjnë me dije se zyrtarët policorë, gjatë kohës që po shqiptonin gjobën e trafikut, janë përballur me reagim agresiv, ku i dyshuari Drin Hoxha rreth 24 vjeç dyshohet se i ka kanosur zyrtarët policorë.
Pas kanosjes, policia ka tentuar ta arrestojë të dyshuarin, por gjatë ndërhyrjes dyshohet se ka pasur pengim të vazhdueshëm nga vëllai i tij, Denis Hoxha rreth 33 vjeç.
Për ta vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë janë detyruar të përdorin sprejin zyrtar, pas çka të dyshuarit janë prangosur dhe janë shoqëruar në stacion policor.
Në vendngjarje është kyçur edhe Njësia e Hetimeve Rajonale, ndërsa në konsultim me Prokuroren kujdestare është iniciuar rast penal për veprat:
• “Kanosja ndaj personit zyrtar”
• “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”
Me vendim të Prokurorit kujdestar, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti do të trajtohet me hetime të mëtejme.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.