EKSKLUZIVE : Hakmarrja - motivi që çoi te vrasja e rreshterit të Policisë në Kaçanik

EKSKLUZIVE : Hakmarrja - motivi që çoi te vrasja e rreshterit të Policisë në Kaçanik
👉 Shiko më shumë 👈

Kështu e ka konsideruar motivin e vrasjes së rreshterit policor, Muhamet Lika, Prokuroria e Ferizajt në aktakuzën që ka ngritur ditë më parë.

Në aktakuzën 32-faqëshe janë përfshirë veprimet që pretendohet se kanë kryer pesë të pandehurit Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka.

Gazeta X ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë së Ferizajt të ngritur kundër pesë të pandehurve, të cilët po ngarkohen me veprën penale të vrasjes së rëndë ndaj rreshterit policor Muhamet Lika në Kaçanik më 01.04.2025.

Sipas Prokurorisë, më 01.04.2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin II të hyrjes së ndërtesës, në bashkëveprim me të miturin R.B, me dashje dhe përgatitje paraprake kishin privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policor, rreshter Muhamet Lika, në atë mënyrë që deri sa viktima ka përfunduar orarin e punës në detyrën zyrtare dhe gjatë rrugës për në banesën e tij ishte përcjellë në vazhdimësi nga të pandehurit dhe i mituri deri te hyrja e banesës së tij e më pas ishte vrarë.

Ajo çka bie në sy në aktakuzën që ka ngritur Prokuroria është edhe puna e zyrtarit policor i cili u vra e që lidhet me punën e tij në trajtimin e dy rasteve, disa fletushkave me përmbajtje fetare dhe djegien e bredhit në Han të Elezit.

Vdekja e Muhamet Likës në bazë të raportit të autopsisë ishte konsideruar se është e dhunshme dhe erdhi si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme, si rrjedhojë e dëmtimit të mushkërive dhe mëlçisë, si rezultat i veprimit dinamik të predhave të gjuajtura nga arma e zjarrit.

Vrasjen e policit e kishin mohuar tashmë të akuzuarit.

Në deklarimin e dhënë në Polici, Haki Bela më 21.04.2025 kishte thënë se ka dëgjuar për vrasjen e policit Muhamet Lika, e kishte njohur më parë si gjithë policët e tjerë dhe nuk e kishte pasur asgjë në familje.

Në natën kritike, rreth orës 23:00, kishte deklaruar se kishte qenë te lokali i tij, mbrapa xhamisë, ku edhe punon nga ora 08:00 deri në ora 18:00, dhe shtonte se ditë më parë Muhamet Lika kishte qenë në lokalin e tij për të blerë vaj të farës së zezë, kurse për natën kritike ka deklaruar se para orës 23:00 kishte dalë nga shtëpia e tij dhe kishte shkuar në drejtim të lokalit.

Më pas kishte vërejtur dy vetura të Policisë dhe te banesat ku kishte ndodhur vrasja ishte afruar për të shikuar se çfarë po ndodhte dhe se aty kishte qenë bashkë tre persona të tjerë dhe kishin komunikuar me policin A.M., dhe ishin njoftuar se është vrarë një polic dhe më pas sipas tij ishin kthyer përsëri te lokali e më pas kishin shkuar në shtëpi.

Tutje ai kishte thënë se në lokal kishte qëndruar për t’u ndihmuar dy shokëve të tij që të shtypnin farën e zezë. Për vëllanë e tij të mitur R.B., Haki Bela ka thënë se e kishte lënë në shtëpi, e po ashtu pas orës 23:30 kur ishte kthyer në shtëpi përsëri R.B., sipas tij e kishte gjetur në shtëpi.

Ai ka deklaruar se vëllai i tij ka qenë në kërkim policor për një rast të dhunimit, sipas tij kinse është i pafajshëm ndërsa për vrasjen e policit Muhamet Lika, ku R.B., është takuar me një polic të ri A.T., dhe në momentin që i ka thënë se e ke një lëndë në Polici pa përfunduar dhe duhet të të arrestoj, R.B. ishte larguar nga Policia dhe kishte lënduar këmbën.

Tutje, Haki Bela kishte deklaruar se telefoni i tij i kishte rënë në tokë, ku e kishin marrë Policia, e më pas babai i tyre kishte shkuar në Polici për ta kërkuar telefonin, por që nuk ia kishin dhënë.

GAZETA X - INFORMOHU I PARI

Shpërndaje:
👉 Shiko më shumë 👈