Konflikti i familjes Beckham ka dalë përfundimisht nga korniza e thashethemeve tabloide dhe është shndërruar në një skandal të hapur që po trondit Hollywood-in.
Brooklyn Beckham ka reaguar publikisht përmes një deklarate të gjatë në Instagram, ku akuzon prindërit e tij, David dhe Victoria Beckham, se kanë tentuar prej vitesh të “kontrollojnë narrativën” e jetës së tij dhe se janë përpjekur “në mënyrë të vazhdueshme të shkatërrojnë” martesën e tij me Nicola Peltz.
Brooklyn, i cili është i distancuar nga familja prej rreth tre vitesh, shpjegon se ka zgjedhur të heshtë për një kohë të gjatë për të ruajtur privatësinë, por sipas tij, kjo heshtje është shfrytëzuar kundër tij.
“Kam heshtur për vite me radhë dhe kam bërë çdo përpjekje që këto çështje të mbeten private. Fatkeqësisht, prindërit e mi dhe ekipi i tyre kanë vazhduar t’i drejtohen mediave, duke mos më lënë asnjë zgjidhje tjetër veçse të flas vetë dhe të tregoj të vërtetën për disa nga gënjeshtrat që janë publikuar”.
Ai thekson qartë se nuk kërkon pajtim me familjen dhe se kjo deklaratë është një akt vetëmbrojtjeje.