Publicisti Nexhmedin Shehu, në një prononcim të gjerë për Bota Sot, ka komentuar zhvillimet globale, deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe narrativën e Beogradit lidhur me Kosovën, duke vlerësuar se Serbia vazhdon të mbetet e ngujuar në një mendësi të vjetruar politike dhe gjeopolitike.
Duke folur për mënyrën se si trajtohen proceset globale në opinionin publik, Shehu thekson se shpesh ato reduktohen dhe lokalizohen qëllimshëm:
“Shpesh, në opinionet rreth çështjeve që janë procese globale dhe që nënkuptojnë ndryshim, kemi tendencën t’i zbërthejmë dhe t’i vendosim ato në rrafshin lokal. Këtë nuk e bëjnë vetëm individë apo grupe; e bëjnë edhe shtete, të cilat, në një mënyrë apo tjetër, ndiejnë se mund të jenë pre e zhvillimeve të atyre proceseve.”
Sipas tij, Serbia është shembulli më tipik i këtij qasjeje, duke e parë veten si faktor dominues rajonal edhe pse realiteti ka ndryshuar:
Serbia, mbase nga vetëkuptimi i saj megaloman si e determinuese e zhvillimeve rajonale, më shumë se të tjerat vepron në përputhje me logjikën dhe praktikën politike tashmë të vjetruar. Ajo synon të ruajë status quo-në e interesave të saj, interesa që nuk i ka ndryshuar prej dy shekujsh. Meqenëse ambienti – si ai global, ashtu edhe ai rajonal – ka ndryshuar, Serbia përpiqet t’i mbajë gjallë këto projeksione për veten dhe për pozicionimin e saj rajonal, duke pritur që rrethanat globale të ndryshojnë sërish dhe ajo të nxjerrë leverdinë e vet.”
Shehu thekson se kjo sjellje reflektohet edhe në politikën e jashtme të Beogradit:
“Për këtë arsye, ajo ‘shetit’ në dy e tre karrige njëkohësisht, sipas momentit, por gjithnjë duke neglizhuar faktet konkrete se edhe rajoni ka ndryshuar: dikur ka qenë një Jugosllavi, ndërsa sot janë shtatë shtete sovrane. Gjeopolitika globale është krejtësisht e re në raport me Ballkanin, dhe Ballkani në raport me të. Pjesët e veçanta nuk mund ta dominojnë tërësinë, dhe pikërisht kjo e ‘vret’ Serbinë dhe kuotimin që ajo i bën vetvetes.”
Duke komentuar deklaratën e Vuçiqit se “rendi botëror ka rënë”, Shehu vlerëson se ajo është e pjesshme dhe selektive:
“Në këtë kontekst, mendoj se duhet kërkuar edhe shpjegimi i konstatimit të Vuçiqit se ‘rendi botëror ka rënë’. Mendoj se ai pjesërisht ka të drejtë, por rendi nuk ka rënë tani, pas ndërhyrjes së SHBA-ve në Venezuelë; ai ka filluar të shembet shumë më herët, që me rënien e Murit të Berlinit. Rasti i Venezuelës është vetëm një episod i këtyre ndryshimeve në rendin botëror, por edhe një vërtetim i një të vërtete të njohur në të gjitha kohërat dhe rendet: ‘i forti gjithmonë ka të drejtë, përderisa është më i forti.’”
Sipas Shehut, Vuçiq nuk bën analizë reale, por përdor politikisht realitetin ekzistues:
“Deklaratat e Vuçiqit janë më shumë një përdorim selektiv i një realiteti ekzistues sesa një analizë e sinqertë dhe koherente e rendit botëror. Tjetër çështje është qëndrimi im moral ndaj këtij fakti.”
Duke iu referuar akuzave të Vuçiqit për “mungesë parimesh” të SHBA-ve, Shehu i hedh poshtë ato:
Nga këto që i ceka më lart, në një mënyrë del edhe përgjigjja në pyetjen nëse ndërhyrja e SHBA-ve në Venezuelë përbën ‘mungesë parimesh’. A priori do të thosha jo, sepse sipas ligjeve amerikane, SHBA-të, për ruajtjen e interesave të tyre dhe të qytetarëve të vet, kanë të drejtë të ndërhyjnë në cilëndo pjesë të botës. Kur Vuçiq flet për ‘mungesë parimesh’, ai nënkupton parime morale universale; ndërsa në marrëdhëniet ndërkombëtare, parimet operative të shteteve të fuqishme janë interesat e tyre të kodifikuara në ligj dhe praktikë.”
Sipas tij, frika reale e Vuçiqit lidhet me vetë pozicionin e Serbisë:
“Pra, këtu Vuçiqi ka një hall tjetër: frikën që kjo ndërhyrje të mos shndërrohet në precedent dhe që e njëjta, ose diçka e ngjashme, të ndodhë eventualisht edhe ndaj Serbisë, nëse konstatohet se ajo po i cenon interesat amerikane.”
Shehu rendit edhe arsyet pse kjo frikë, sipas tij, nuk është e pabazë:
“E për këtë ka mjaft argumente: mosaplikimi i sanksioneve ndaj Rusisë; mosdorëzimi i tre spiunëve kinezë autoriteteve amerikane dhe largimi i tyre për në Kinë; miqësia personale dhe shtetërore e Vuçiqit me Maduron; si dhe dalja në dritë, nga dëshmi të FBI-së, e dyshimeve për përfshirjen e Vuçiqit përmes makinave Dominion në ‘vjedhjen e votave’ në zgjedhjet në SHBA; pastaj lidhjet e ngushta me ‘vëllanë Xi’, e të tjera.”